U Organizuan Për Të Tretin Vit Radhazi Aktiviteti "Ditët e Turqisë" Në Tiranë

Yazıcı-dostu sürüm

Për të tretin vit radhazi qytetarët shqiptarë përjetuan Ditët e Turqisë, eveniment që organizohet nga Instituti Yunus Emre Tiranë që nga vitit 2017.

Gjatë evenimentit Ditët e Turqisë të mbajtur në datat 18-19-20 tetor 2019 në epiqendrën historike të Tiranës, në sheshin Skënderbej, përpara vizitorëve, krahas arteve tradicionale u shpalosën motive të larmishme nga muzika turke dhe shijet e pakrahasueshme të kuzhinës turke.

Vizitorët, të cilët përveç çajit turk patën mundësi të shijonin gatimet më të zgjedhura të kuzhinës turke si doneri, pilafi me mish, sherbeti, llokumi turk, bakllavaja turke apo hallva me qumësht, patën shansin të sodisnin nga afër produktet e artizanateve tradicionale të ekspozuara nga bashkitë e ardhura nga Turqia. Në këtë eveniment në të cilin kishte pjesëmarrje edhe nga vendet fqinje, në çdo mbrëmje u shfaqën ngjyra të ndryshme të Anadollit. Nga njëra anë Grupi i Muzikës Popullore Turke të Stambollit u ngjit në skenë me meloditë e zgjedhura të krahinave të ndryshme, nga ana tjetër Bashkia Şanlıurfa ofroi traditën e mbrëmjes tradicionale Sira. Ndërsa Grupi Horon nga Trabzoni që u ngjt në skenë mbrëmjen e fundit të evenimentit i cili solli në rrugët e Tiranës ngjyrat e Anadollit, shfaqi vallet popullore tradicionale që kërcehen në zonën lindore të Detit të Zi.

Në programin e realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, morën pjesë me stendat e tyre Bashkia Tiranë, Bashkia Bursa, Bashkia Şanlıurfa, Bashkia Konya, Bashkia Kahramanmaraş, Bashkia Beyoğlu Stamboll, Bashkia Ortahisar Trabzon, Instituti Yunus Emre Tiranë, Shoqata Turke e Harkëtarëve, Fondacioni Maarif i Turqisë, Shoqata e të Diplomuarve Shqiptarë në Turqi, Global Lojistik dhe kompani të tjera kulinare turke që operojnë në Shqipëri.       

Në fjalimet e mbajtura gjatë ceremonisë hapëse të evenimentit nga Ambasadori Turk në Tiranë z. Murat Ahmet Yörük, kryetari i Bashkisë Beyoğlu z. Haydar Ali Yıldız dhe kryetari i Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj, u theksua rëndësia që kanë aktivitetet artistiko kulturore dhe zhvillimi i kurseve të gjuhës turke që organizohen nga Instituti Yunus Emre në përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Gjithashtu u nënvizua fakti se trashëgimia kulturore e përcjellë nga brezi i ri do të përforcojë edhe më tej lidhjet midis dy vendeve tona të cilat ruhen që nga e shkuara deri në ditët e sotme.