U prezantua jeta dhe veprat e Necip Fazıl Kısakürek në Panairin e Librit të Tiranës

Yazıcı-dostu sürüm

Më 14 dhe 15 nëntor 2024, në kuadër të Panairit të Librit 2024 në Tiranë, Instituti Yunus Emre Tiranë organizoi aktivitete për promovimin e jetës dhe veprave të Necip Fazıl Kısakürek.

Në edicionin e 27-të të këtij panairi, me ftesë të Institutit Yunus Emre, mori pjesë titullari i Shtëpisë Botuese “Büyük Doğu” z. Emrah Kısakürek, i cili mbajti bisedat me temë: “Necip Fazıl nga Tradita tek e Ardhmja” dhe “Mbi Veprën “Zoti Reis” ”, ku përcolli fragmente nga jeta dhe krijimtaria e autorit Necip Fazıl Kısakürek.

Në bisedën e parë që u mbajt në sallën e konferencave të Institutit Yunus Emre, Emrah Kısakürek theksoi se Necip Fazıl ka patur gjithnjë një rol udhërrëfyesi dhe i frymëzonte njerëzit duke i nxitur në përparimin e tyre përtej gjendjes aktuale.

Duke nënvizuar largpamësinë e autorit, Emrah Kısakürek vuri në dukje se thëniet dhe shkrimet e Necip Fazıl, të përcjella vite më parë, i përjetojmë ende sot, tradita e tij vazhdon të jetë aktuale dhe do të ruhet edhe ndër brezat e ardhshëm

Në hapjen e aktivitetit, koordinatori i Institutit Yunus Emre në Tiranë, Oğuzhan Sakoğlu dha informacion mbi qendrat dhe aktivitetet e Institutit në Shqipëri dhe në botë duke shprehur qëllimin që mbartin për promovimin në mbarë botën të trashëgimisë së Turqisë në art, kulturë dhe histori.

Në bisedën e organizuar në ambientet e Institutit morën pjesë atasheu i arsimit pranë ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Metin Bulut; rektori i Universitetit “New York” në Tiranë, Prof. Dr. Ali Güneş; koordinatori për Shqipërinë i Fondacionit “Maarif” të Turqisë, Mesut Özbaysar; sekretari i përgjithshëm i Universitetit “New York” në Tiranë, Dr. Rıza Feridun Elgün; atasheu për çështjet fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Adem Gerlegiz, përfaqësi të ambasadës, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, nxënës dhe të ftuar.

Biseda e dytë e mbajtur nga Emrah Kısakürek u zhvillua në stendën e Shtëpisë Botuese “Fan Noli” në Pallatin e Kongreseve, ku vijon Panairi i Librit në Tiranë. Gjatë bisedës, Emrah Kısakürek analizoi veprën “Zoti Reis” të Necip Fazıl.

Pas të dy bisedave, Kısakürek iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga pjesëmarrësit dhe shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë e prezantimit të shkrimtarit Necip Fazıl në Shqipëri.