U zhvillua në Tiranë Bashkëbisedimi “Turqia dhe Ndihma Humanitare Ndërkombëtare”

Yazıcı-dostu sürüm

Në kuadër të aktiviteteve artistiko-kulturore, Instituti Junus Emre në Tiranë, organizon rregullisht çdo muaj, që nga viti 2017 programin “Bashkëbisedimet e Junus Emresë”, ku i ftuari i këtij muaj ishte Nënkryetari i I-rë i Gjysmëhënës së Kuqe Turke Z. Ismail Hakkı TURUNÇ.

Në bashkëbisedimin që u zhvillua ditën e martë më 19 shkurt, në sallë e konferencave të Institutit Junus Emre Tiranë, ishin të pranishëm zëvendës ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hakan Cengiz, politikanë, përfaqësues të OJQ-ve, akademikë, përfaqësues të medias dhe studentë.

Turunç në fillim të fjalës së tij foli rreth historikut, qëllimit të krijimit dhe misionit që ka Gjysmëhëna e Kuqe Turke. "Me rastin e 150-vjetorit të themelimit të Gjysmëhënës së Kuqe Turke jemi duke organizuar aktivitete të ndryshme si në Turqi ashtu edhe jashtë saj.", tha Turunç.

Turunç theksoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke është një nga organizatat më të mëdha humanitare në botë. “Mbi 70 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për arsye të luftës. 850 mijë njerëz kanë humbur jetën në Siri. Aktualisht në Turqi jetojnë përafërsisht 4 milionë sirianë. Ne nuk i kemi parë kurrë si refugjatë, nuk i kemi menduar kurrë si refugjatë, nuk i pranojmë si refugjatë, por i kemi parë si njerëzit tanë të të njëjtit besim.”, u shpreh Turunç.

"Dëshira jonë është që askush të mos vdesë nga mungesa e ushqimit, nga etja, të mos ketë fatkeqësi natyrore dhe asnjë të mos ngelet në nevojë. Gjysmëhëna e Kuqe Turke në emër të mirësisë është gati tju vijë në ndihmë çdokujt pa marrë parasysh fenë, kulturën apo nacionalitetin", përfundoi Turunç.

Bashkëbisedimi përfundoi me dhënjen e dhuratës nga drejtori i Institutit Junus Emre në Tiranë, z. Ömer Osman Demirbaş për nënkryetarin e parë të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Z. Ismail Hakkı Turunç.